Çfarë po ndodh në Air Albania? Punonjës të kompanisë ngrejnë alarmin për shkelje të rënda dhe cënim të sigurisë ajrore
Një situatë e rënduar ka dalë në dritë së fundmi brenda kompanisë kombëtare “Air Albania”, teksa një grup punonjësish i janë drejtuar me një deklaratë publike kryeministrit Edi Rama, zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe institucioneve shtetërore të fushës, duke denoncuar shkelje të theksuara të ligjit dhe standardeve të punës në aviacion.

Punonjësit raportojnë se për afro një vit nuk janë derdhur kontributet e sigurimeve shoqërore, ndërkohë që pagesat mujore janë kryer me vonesa të përsëritura prej dy deri në tre muaj. Në deklaratën e tyre thuhet se situata është përkeqësuar ndjeshëm që nga emërimi i një drejtuesi të ri turk në krye të kompanisë, i cili sipas tyre ka ushtruar presion të fortë psikologjik mbi stafin, ka larguar në mënyrë të papritur pilotë, teknikë dhe anëtarë të ekuipazhit, si dhe ka krijuar një klimë të pasigurt në vendin e punës.
Sipas punonjësve, mungesa e pagave dhe e sigurimeve, ndërhyrjet pa kriter në strukturë dhe mosrespektimi i protokolleve operacionale kanë komprometuar ndjeshëm sigurinë e pasagjerëve. Ata e konsiderojnë këtë një alarm serioz për të gjithë sistemin e aviacionit civil në vend dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet përgjegjëse.

Në reagimin e tyre publik, punonjësit theksojnë nevojën për nisjen e një hetimi të plotë institucional mbi të gjitha shkeljet e denoncuara. Ata kërkojnë shlyerjen e menjëhershme të pagave të prapambetura dhe kontributeve të sigurimeve për të gjithë stafin, si edhe rikthimin në detyrë të punonjësve të pushuar në mënyrë të padrejtë, përfshirë pilotët, teknikët dhe anëtarët e ekuipazhit të kabinës. Një kërkesë thelbësore është gjithashtu garantimi i një ambienti pune të sigurt dhe respektimi i dinjitetit profesional të të gjithë personelit ajror, në përputhje me standardet ndërkombëtare të fushës.

Sipas deklaratës, nëse kjo situatë nuk trajtohet me urgjencë nga shteti, rrezikohen jo vetëm të drejtat themelore të punonjësve, por edhe funksionimi normal i linjave ajrore dhe mbi të gjitha siguria e udhëtarëve shqiptarë dhe të huaj që përdorin shërbimet e Air Albania.
Share this content: