Wizz Air hap linjë të re: Vilnius – Tiranë nga marsi 2026
Wizz Air ka njoftuar një zgjerim të madh të rrjetit të saj nga Vilniusi, duke përfshirë disa destinacione të reja europiane. Ndër më të rëndësishmet për Shqipërinë është lidhja e re direkte mes Vilniusit dhe Tiranës, që do të nisë më 31 mars 2026.
Ky zhvillim është një hap tjetër i rëndësishëm për rritjen e trafikut ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, i cili vitet e fundit ka përjetuar një bum të vërtetë linjash dhe pasagjerësh. Linja e re pritet të shërbejë si një urë lidhëse jo vetëm për turistët lituanezë që duan të vizitojnë Shqipërinë, por edhe për shqiptarët që kërkojnë destinacione të reja në Baltik.
Pse është e rëndësishme kjo linjë për Shqipërinë?
Lidhja e re Vilnius–Tiranë ka një peshë të veçantë për vendin tonë, pasi pritet të sjellë një rritje të ndjeshme të turizmit hyrës nga vendet baltike, duke e bërë Shqipërinë më të aksesueshme për vizitorët nga veriu i Europës. Në të njëjtën kohë, kjo linjë hap mundësi të reja për shqiptarët që duan të eksplorojnë Lituaninë për turizëm, studime apo biznes, duke krijuar ura të reja kulturore dhe ekonomike mes dy vendeve. Për më tepër, ky destinacion e diversifikon edhe më tej rrjetin ajror të Tiranës, duke forcuar çdo vit pozicionin e saj si një nyje rajonale në Europën Juglindore.
Rrjet më i gjerë i Wizz Air nga Vilniusi
Përveç Tiranës, Wizz Air ka paralajmëruar nisjen e linjave të reja edhe drejt:
- Nice (Francë) 🇫🇷
- Podgoricë (Mali i Zi) 🇲🇪
- Turku (Finlandë) 🇫🇮
- Tallinn (Estoni) 🇪🇪

Ky zgjerim tregon strategjinë e kompanisë për të forcuar praninë e saj në Lituani, duke ofruar më shumë mundësi për pasagjerët baltikë dhe duke i lidhur ata me Europën Jugore dhe Mesdheun. Kjo është gjithashtu herë e parë që kryeqytetet e Shqipërisë dhe Lituanisë lidhen nga një kompani ajrore “low cost”, duke sjellë një alternativë të re, më të përballueshme për pasagjerët. Lidhja hyn edhe në një terren konkurrues, pasi tashmë në treg operon në verë, fluturime sezonale me Air Baltic, e cila ka një pozicion të konsoliduar në rajonin baltik dhe shërben destinacione të ndryshme në Europë. Konkurrenca e re nga Wizz Air pritet të ulë çmimet dhe të rrisë mundësitë e zgjedhjes për pasagjerët.
Vilnius i bashkohet listës së gjatë të destinacioneve që do të fillojnë për / nga Tirana.
Destinacione & informacione të reja për Tiranën me Wizz Air
- Stockholm Arlanda – Tirana, 4 herë në javë, do të fillojë nga 2 marsi 2026.
- Cologne/Bonn – Tirana, 3 herë në javë, duke filluar më 16 dhjetor 2025.
- Billund – Tirana, 2 herë në javë, duke filluar më 3 mars 2026.
- Tenerife – Tirana, 2 herë në javë, nga 14 dhjetor 2025.
- Larnaka (Qipro) – Tirana, 2 dhe pastaj 3 herë në javë nga 4 tetori 2025.
- Málaga (Spanjë) – Tirana, dy herë në javë nga 27 tetori 2025.
- Malta – Tirana, tre herë në javë nga 2 tetori 2025.
- London Gatwick – Tirana , 5 herë në javë nga 26 tetori 2025.
Share this content: